top of page

Meditimi, rruga drejt qetësisë shpirtërore, nga mjeshter Sheki Useini

  • Writer: fill magazine
    fill magazine
  • 2 hours ago
  • 6 min read
ree

Sot, mjafton që vetëm të përmendin fjalën “qetësia shpirtërore” dhe menjëherë fillon diçka të ndihet mirë, por edhe në të njëjtën kohë kuptojmë se pikërisht kjo është ajo që na mungon në pjesën më të madhe të kohës. Qetësia shpirtërore duket sikur të jetë thjesht një mangësi e përgjithshme qenies njerëzore dhe shkon akoma duke u rritur.

Njeriu modern, sot, i është nënshtruar një dinamike si kurrë më parë të të jetuarit dhe luftës për të mbijetuar. Ai është vazhdimisht duke e përshpejtuar jetën.Vërtetë se ai me këtë formë të jetesës ka krijuar shumëçka në nivel material, teknologjik e shkencor, mirëpo nga ana tjetër fatkeqësisht ka humbur disa vlera, që janë të domosdoshme për një jetë cilësore dhe që nuk mund të kompenzohen me të arriturat e tij financiare dhe materiale, pra që nuk mund t’i blejë me para, si shëndeti, lumturia, paqja e brendshme dhe liria shpirtërore. Si rezultat i kësaj, pra duke fituar nga njëra anë, të mira materiale, famë, status social, karriere, autoritet dhe nga ana tjetër duke humbur lidhjen me veten, me qetësinë, dashurinë dhe respektin ndër njerëzor, ai e ka prishur barazpeshën në jetë dhe ka krijuar më shumë frikë. Nuk ka stabilitet emocional dhe pjesën më të madhe të përditshmërisë e kalon nën ndikimin e shqetësimeve të ndryshme. Natyrisht se kjo nuk ngel edhe pa pasoja.

Tanimë është fakt se nëpërmjet kësaj kanë lindur frikëra të ndryshme, stresi, depresioni, burn-out dhe shumë sëmundje të tjera psikosomatike.

Shkenca tanimë e ka të konfirmuar se frika është armiku kryesor i shëndetit të njeriut dhe paqes shpirtërore, dhe se ajo që ne e quajmë “stres” krijohet dhe ushqehet kryekëput nga frika.

Frika është pra ajo që e shkakton stresin, të cilën sot OBSH e quan Epidemia e shekullit XXI.

Frika është nëna e të gjitha streseve, cilat do qofshin ato: frika nga e ardhmja, nga pasiguria, sëmundja, humbja e vendit të punës, frika nga dështimi, injoranca, varfëria, vdekja, nga humbja e pasurisë, e personit të dashur, frika nga virusi etj.

Por frika për trupin tonë është dhimbje, sepse ai e përkthen si të tillë, dhe nëse kjo nuk trajtohet në mënyrën e duhur atëherë trupi ynë sëmuret.

Meditimi është parandaluesi dhe transformuesi më i suksesshëm i frikës në guxim dhe entuziazëm për të vepruar. Frika burimin e saj e ka në mendjen tonë dhe pa e qetësuar mendjen nuk mund të kuptojmë prejardhjen e frikërave.

Për këtë arsye sot si kurrë më parë, është rritur domosdoshmëria për të njohur sesi funksionon mendja jonë, ligjet universale, ligjet e krijimtarisë, si dhe mundësinë e menaxhimit të mendimeve dhe emocioneve.

Në një moment mund të na duket se ne jemi viktimë në këtë vorbull të krizës dhe vuajtjeve të ndryshme, shpirtërore, mentale dhe fizike, që sipas të gjitha gjasave janë në rritje e sipër.

Mirëpo ne nuk jemi viktimë e gjithë kësaj që ndodh, por kemi disa zgjidhje si rrugëdalje nga kjo, për arsye se të gjithën e kemi krijuar vetë dhe nuk e ka sjell askush nga ndonjë planet tjetër.

Si në çdo krizë, edhe tek  kjo egzistojnë në të njëjten kohë rreziqe dhe mundësi. Rrezik është nëse vazhdojmë të qëndrojmë indiferent dhe t’i dorëzohemi si të pashpresë ndaj kësaj që ka ndodhur dhe ndodh, ndërsa mundësitë janë të shumta që në këtë realitet ta ndryshojmë për të mirën e të gjithë neve.

Pra, ajo që unë dua të shpalos tani,

Meditimi, që sot për shoqërinë tonë shqiptare është bërë trend dhe alternativë e vetme në të njëjtën kohë, është absolutisht mekanizmi më funksional për ta transformuar dhe përgatitur individin për t’i tejkaluar këto sfida dhe mirëmbajtur veten për një jetë më të shëndetshme, më vitale, më të lumtur dhe më paqësore.

Meditimi së shpejti do të jetë po aq i zakonshëm siç është bërë sot larja e dhëmbëve në çdo mëngjes. Meditimi është një ilaç i ri që po zhvillohet aktualisht, edhe atë jo vetëm në mesin tonë, por edhe në mbarë njerëzimin. Ajo që këtë e bënë edhe më domethënëse është se meditimi na jep mundësinë për të qetësuar mendjet e rrëmujshme dhe të stresuara, për të eksploruar farmacinë tonë të brendshme, për të riaktivizuar aftësinë e vetëshërimit, për të ulur frikërat e ndryshme dhe sinqerisht me plot bindje të fortë them se një ditë të medituarit do të jetë madje temë e zakonshme në përditshmërinë e shoqërisë sonë.

Meditimi mund të sjellë ndryshime të rëndësishme fiziologjike, biokimike dhe hormonale në trupin tonë dhe ky është me të vërtetë një zbulim befasues.

Edhe pse Meditimi dhe mjekësia gjithnjë e më shumë duken si dy mundësi që çojnë në të njëjtën dhomë, megjithatë studimet e fundit tregojnë se meditimi mund të shërojë dhe të luftojë shumë sëmundje, me të cilat mjekësia konvencionale ka vështirësi të mëdha, siç janë: presioni i lartë të gjakut, diabeti, migrena dhe në veçanti sëmundjet që lidhen fiziologjikisht me stresin, siç është depresioni, burn-out, apo unë e quaj “djegia apo divorci i brendshëm”.

Një dijetar i shquar tha para disa dekadave, se do të vijë koha kur sëmundja do të llogaritet çmenduri dhe për njeriun e sëmurë do të thonë: “o sa budalla qenka, e paska sëmurur veten”. Pra, sëmundja do të llogaritet turp. Definitivisht do të kuptohet se ne vetë jemi ata që në rradhë të parë e shkaktojmë sëmundjen, jo dikush tjetër, edhe atë nëpërmjet mënyrës se si mendojmë, si ndihemi, si ushqehemi dhe si e trajtojmë trupin tonë.

Duke iu referuar titullit të këtij artikulli Qetësia Shpirtërore është baza e një shëndeti fizik, mental dhe psiqik. Mënyra më e bukur për të ruajtur qetësinë shpirtërore është të kuptojmë së pari, se si të qetësojmë mendjen tonë. Nëse mësohemi të qetësojmë mendjen tonë, shpirti nuk do të trazohet. Një moto e imja që e pëlqej dhe e përmendi shpesh në seminaret e mia thotë: «Qetëso mendjen, sepse shpirti qetësohet vetë!»

 

Meditimi është çelësi për këtë dhe praktikimi i tij sjell me vete benefite të panumërta për secilin që mediton. Mirëpo fatkeqësisht shumica e njerëzve mendojnë se meditimi është shumë rëndë për tu mësuar, dhe besojnë se nuk është e mundshme që nëpërmjet meditimit të qetësohet mendja. Madje ata as që besojnë se nëpërmjet meditimit mund të menaxhohen dhe vëzhgohen mendimet dhe emocionet.

Mësimi i meditimit është shumë më i lehtë sesa mund të duket, mjafton që ju të mund të ndani një kohë të shkurtër prej disa minutave në ditë, të largoheni nga vendi ku ka zhurmë, të gjeni një vend komod ku mund të uleni ose shtriheni, të mbyllësh sytë dhe me vëmendjen tënde të përqëndrohesh tek frymëmarrja.

Vetëm nëpërmjet këtij procesi, pra duke vëzhguar frymëmarrjen dhe frymënxjerrjen, me sy mbyllur, mendja do të fillojë të qetësohet, do të ulen valët e trurit, trupi do fillojë të relaksohet, do të zbuten muskujt e tij, të menduarit do të ngadalësohet dhe dalëngadalë do fillosh të ndjesh qetësi, lehtësi, çlirim dhe paqe të brendshme.

Pra vetëm të vëzhguarit e frymëmarrjes do krijojë një klimë të re në trupin, mendjen dhe shpirtin tënd. Gjithmonë pas meditimit ti do të ndjesh një energji të re, një hapësirë të re, më shumë vullnet dhe dashuri për të vepruar, një vetëvlerësim më të lartë, një përqëndrim më të fortë. Nëpërmjet gjithë kësaj do të përmirësohet cilësia e frymëmarrjes, bashkë me këtë dhe cilësia e jetës tënde.

Një thënie e vjetër mistike thotë: «Më trego si merr frymë, të të tregoj si jeton.»

 Arsyeja pse shumica e njerëzve nuk e kanë mësuar meditimin është se ata nuk besojnë se nëpërmjet meditimit mund ta ndryshojnë personalitetin e tyre, duke krijuar një version të ri të vetvetes. Në të njëjtën kohë nëpërmjet meditimit do të marrësh disa përgjigje shumë domethënëse në pyetjet e mëdha si “Kush jam unë?”, “Cili është qëllimi i ardhjes time këtu?” etj, dhe dalëngadalë do të largosh nga vetja gjithçka që nuk ka të bëj me të vërtetën tënde, derisa në fund të ngel ajo që ti je në të vërtetë.

Meditimi nuk ka të bëj me asnjë religjon, ideologji, kulturë, traditë dhe nuk është i krijuar nga njeriu, por është një dhuratë hyjnore nga zoti për të eksploruar më mirë veten dhe për të jetuar atë jetë që dëshiron.

SISTEMI i jonë, pra kjo që ne jemi si qënie njerëzore, është i ndërtuar me përsosmëri nga dora e Zotit, ndërsa përgjegjësia jonë prioritare është mirëmbajtja e vazhdueshme të këtij sistemi të mrekullueshëm.

Meditimi është çelësi kryesor i mirëmbajtjes së këtij sistemi.

Sa bukur që egzistoni!

Comments


SIGN UP FOR ALL UPDATES, POSTS & NEWS

  • Grey Instagram Icon
  • Grey Facebook Icon
  • Grey Pinterest Icon
  • Grey Twitter Icon
  • Grey YouTube Icon

© 2025 FILL MAGAZINE. Created by Katerina Trungu

bottom of page