Ne udhetim me Alma Cupin
- fill magazine
- Jan 3
- 7 min read
Kopertinë, revista nr.3, nëntor 2023

Alma, ke qënë gjithnjë e lidhur me natyrën? Kur ke qënë e vogël shkoje në fshat?
Lidhja ime me natyrën është si rrjedhojë e viteve të fëmijërisë. E quaj vetem me fat, që pushimet e verës unë i kaloja tek të afërmit e mi, në fshatrat e Matit.
Unë kam patur fatin, ta shijoj fshatin, duke hipur ne pemë, duke ngrënë në sofra, duke ndihmuar në punët e fshatit aq sa mundja. Në lumin e Matit shpesh shkonim fundjavave dhe rrugën nga Burreli në lum e bënim me këmbë. Këto eksperienca janë ngulitur fort në memorien time dhe që kanë ndikuar në punën time si gazetare.
Ke kujtime të bukura nga fëmijëria?
Nga fëmijëria kam kujtimet e gjysheve të mia, të cilat shtëpinë e kthenin në një punishte që unë sot i sjell në emision. Gjyshet e mia në sezonin e frutave dhe perimeve pregatisnin recelërat, turshitë, thanin perime që t’i kishim në periudhen e dimrit, bënin jufka, tarhana dhe e gjithë kjo bëhej brenda një hyrje pallati. Mblidheshin të gjithë për të ndihmuar.
Ka patur dicka që prindërit e tu e kanë dashur ta shohin tek ti dhe ja ke realizuar ose jo? Prsh rrugëtimi arsimor apo karriera, ose parimet dhe virtytet etj.
Prindërit e mi kanë investuar dhe qindarkën e fundit që unë të shkollohesha. Në lidhje me shkollimin nuk është diskutuar asnjëherë paraja. Nëse doja një fustan ata do ma blinin me shumë lutje ose dhe nuk ma blinin, ndërsa kur bëhej fjalë për libra, kurse muzike, kërcimi apo sporti, ata nuk e diskutonin. Gjithmonë prindërit e mi ishin shumë kërkues në lidhje me ecurinë në shkollë dhe ndonjëherë dhe e kalonin masën. Ndërsa virtytet, komunikimin, thjeshtësinë e kam indirekt nga gjyshërit e mi, të cilët më merrnin kudo me vete.
Aktrimi, si ka qënë kjo fushë për ty? Cfare kujton nga jeta si studente?
Aktrimi ishte ëndrra e jetës time. Recitoja kudo. E vogël hipja mbi tavolinë. Më pas në shkollë merrja pjesë në shfaqjet që viheshin. Për ta realizuar si ëndërr më është dashur të luftoj shumë me familjen time pasi ata nuk donin të bëhesha aktore.
Këtë profesion e quanin jo të duhurin për të patur të ardhme dhe për më tepër e paragjykonin. Kam ikur nga shtepia dhe kam konkuruar në Akademinë e Arteve. Fitova dhe më pas gjyshi im doli garant të më mbështeste me para për të vijuar studimet.
Kujtimet si studente janë nga të bukurat. Unë pata fatin të kem profesorë të nderuar dhe aktorë të mëdhenj, si Niko Kanxheri, Ermira Gjata, Bujar Lako, Ndricim Xhepa, Reshat Arbana. Këta profesorë ishin madhështorë dhe tmerrësisht të thjeshtë njëkohësisht. Nga ata mësova se është e rëndësishme të jesh njeri pavarësisht famës apo pasurisë.

Të ka ndihmuar aktrimi në profesionin e gazetares dhe në reportazhe?
Akademia e arteve më ka ndihmuar që unë të kuptoj pjesën regjisoriale, ritmin e programit, të folurën artistike, kolonën zanore. Nëse sot emisioni “Histori Shqiptare” ka mbërritur deri këtu kjo është fale asaj shkolle dhe natyrisht ndikimit në formimin tim dhe të studiuesit Behar Gjoka që për fat më ka dhënë gjuhë-letërsi.
Ke punuar shumë, madje ke sakrifikuar ato që cilësohen si gjërat madhore të jetës, sic është koha dedikuar familjes. Kishe një vizion të caktuar, një projektim, një planifikim, një synim? Përse një dedikim kaq i madh thuajse pa limit për profesionin?
E vërtetë që kam sakrifikuar dhe ende sakrifikoj. Kjo se unë dua ta bëj punën mirë, në mënyrë sa më profesionale dhe të bësh profesionin e gazetarisë nuk është e lehtë. Unë jam munduar ta mësoj këtë profesion cdo herë dhe të kërkoj të di se si bëhet sa më mirë.
Shpesh në intervista, ke thënë se je rritur bashkë me vajzën, për shkak të moshës, por edhe për shkak të përgjegjësive që ndryshojnë me kalimin e viteve. Cfarë vështirësish ke parë në prindërim?
Këtë mendim e kam thënë kur vajza ishte adoleshte. Në atë moshë mendoj se të rinjtë duhet t’i zbulojnë bashkarisht gjërat. Nëse një adoleshnte lidhet me dikë më të madh në moshë, i mërr gjërat e gatshme.
Je shprehur gjithashtu se nuk je dakord që vajza të krijojë një marrëdhënie me dikë më të madh në moshë. Përse ndan një mendim të tillë?
Mendoj se askush nuk duhet të japë mend se kur duhen njerëzit të bëjnë fëmijë apo të martohen. Kjo është dicka personale.
Si ka qënë dashuria në jetën tënde? Cfarë ka qënë “dashuria” për ty?
Dashuria për mua është gjëja më e bukur, që të bën të ecësh përpara. Njeriu pa dashuri nuk ka frymëzim, nuk ka pse të zgjohet në mëngjes. Por gjëja më e vështirë është të dish të duash. Edhe dashuria duhet mësuar. Duhet të edukohet kjo ndjenjë kaq e bukur, që I jep kuptim jetës.
Je romantike?
Unë jam shumë romantike. Ose më saktë të gjitha i kam me “shumë”. Përpiqem ta ruaj këtë natyrë, pavarësisht vështirësive. Nuk lejoj njeri të ma heqë buzëqeshjen, shijimin e gjërave të bukura dhe mirësinë për njerëzit.

Të lë përshtypjen për një njeri shumë të fortë. E ke quajtur veten “rebele”. Cfarë të prek? Je ndjerë ndonjëherë e dobët?
Unë jam e fortë. Ose me saktë më ka bërë jeta të fortë, vështirësitë për të ecur. Unë jam rebele, dhe madje shumë kur më bëhen padrejtësi. Kur më pengojnë në punën time. Kur njerëzit kalojnë kufirin dhe hyjnë aty ku nuk duhet.Mua më prek shumë mosmirënjohja. Kur ndodh që gjej mosmirënjohje, ka momente që bëhem e dobët dhe dua të tërhiqem nga cdo gjë. Por pi një gotë verë dhe kalon.
Alma ti ke qënë pas një prej gazetave më në zë, “Paloma”. Na trego pak për ato kohë.
Gazetën Paloma e hapa për të përmirësuar anën ekonomike, pasi pagesat e gazetarëve janë të ulëta. Me dy kolegë të mi vendosëm të hapim “Palomën” e cila ishtë instagrami i sotëm. Suksesi ishte që në numrin e parë. Dhe titullin ia vumë pasi në atë kohe një telenovelë që jepte Top Channel ishte me e ndjekura. “Kur ti të jesh e imja” quhej telenovela. Paloma ishte personazhi kryesor. Në orën që jepej telenovela në gazetën ku unë punoja, të tërë rreshtoheshin me karrige duke e parë. Ishte një punë kolosale pasi tek gazeta kopertinën vendosa ta bëj me aktorë shqiptare të njohur fillimisht. Doja që kjo gazetë të kishte lexues të të gjitha shtresave. Dhe ishte më e shitura deri në momentin që unë vendosa ta lë për të ikur në Paris.
Isha shumë e lodhur, sepse biznesi të lodh dhe doja një jetë ndryshe.
Nuk je kursyer thuajse asnjëherë për informacione në lidhje me jetën private, si ndarja apo marrëdhënia me vajzën. E gjitha kjo më jep ndjesinë dhe më krijon mendimin se thjeshtësia që të karakterizon të con në këtë transparencë. Modestinë tënde e vëmë re dhe në mënyrën s e ndërton programin tënd, “Histori shqiptare”. Ka dicka në të cilën ti je fanatike dhe hermetike?
Unë nuk jam për asgjë fanatike apo hermetike. Unë atë që mendoj e them. Natyrisht jo vend e pa vend. Në varësi të njerëzve që kam përballë. Kur kam njerëz që nuk kuptojnë preferoj të hesht ose të bëj biseda argëtuese.
“Histori shqiptare” mund të themi me plo bindje se është një nga programet më origjinale dhe të dashura në televizionet shqiptare. Të ka afruar me jetën e njerëzve të thjeshtë, vlerave shqiptare, bukurisë së vendit tonë dhe rrëfimeve të padëgjuara. Si i bind protagonistët të bëhen pjesë e programit? Apo për ata është shumë e thjeshtë përpara teje?
Unë i dëgjoj njerëzit. Kur i dëgjon ata ndjehen mirë. Unë bëhem pjesë e familjes së tyre. Dhe këtë e bëj me zemër dhe shumë kënaqësi. Njërëzit janë thesare po të dish t’I kuptosh. Mbi të gjitha duhet t’I duash që t’i kuptosh. Unë nuk dua vetëm t’u marrë atyre, por dua dhe t’u jap nga vetja ime. Unë ndërtoj me ta një histori, që të dy palët të përfitojmë. Unë marr një gjë ekskluzive, ai ose ajo merr vëmendje, dëgjohet, bëhet I njohur.
Sa e do këtë program?
Unë këtë program e kam rritur si një fëmijë që lind nën peshë dhe duhet të vendoset në inkubator. E them këtë sepse nuk kisha staf të dedikuar. Me kamera borxh, me operator borxh, me montazhier borxh, me makinë borxh. Pas “Histori Shqiptare” është një punë me shumë lodhje dhe përkushtim. Një punë për t’i shkuar shpirtit të njerëzve deri në fund. Orë të tëra punë dhe biseda pas pune me njerëz. Ata që kanë qenë pjesë e programit e dinë këtë gjë.

A e di që studentët e gazetarisë të duan si figurë televizive dhe të kanë shembull?
Mua më vjen mirë që të rinjtë e ndjekin si program. E di këtë gjë dhe ma thonë. Bëj maksimumin tim bashkë me Ben Haxhinë dhe Erion Agollin që të mbajmë cilësinë, anën edukative dhe informative, pavarësisht lodhjes. Të gjejmë histori frymëzuese se është shumë e rëndësishme t’I ofrojmë rinisë histori të tilla. Sic pata fatin unë të njoh në fëmijërinë time, njerëz të jashtëzanoshem nëpër fshatra, gjyshërit e mi dhe të afërmit e tyre.
Je afeksionuar me ndonjë nga personazhet dhe historitë?
Një nga historitë më të bukura ishte një i moshuar në urën e Vashës, i cili jetonte në botën e tij bashkë me fëmijët. Ata veglat e punës i bënin vetë. Mirëmbanin urën shekullore të rrugës së Arbrit, kishin fermë peshku, bagëti. Ali Sina quhej. Nuk e dija qe ende kishte vende në Shqipëri ku koha kish mbetur në vend.
Të ka lidhur ky program më shumë me Shqipërinë në sensin emocional?
Ky program natyrisht më bëri të kuptoj më mirë Shqipërinë. Që ta duash një gjë duhet ta kuptosh. Në fëmijëri ti I shijon gjërat por nuk I kupton. Unë nga udhëtimet kuptova se Shqipëria është një xhevahir, por që ka nevojë për t’u zbuluar nga njerëz profesionistë. Jo për të bërë shoë.
Si i kalon ditët e pushimit ndërkohë që puna jote duket sikur është edhe pushime njëkohësisht?
Pushimet i kam gjithmonë aktive. Më pëlqen të eksploroj në vendin ku ndodhem dhe të takoj njerëz.
Si e mendon pleqërinë? Prsh, duke udhëtuar? Me shpirtin e aventurës ende të ri?
Unë nuk do të plakem ndonjëherë. Une do të udhëtoj gjithmonë sepse kam kuptuar fuqinë e udhëtimit. Njeriut nuk i mjafton jeta për të shijuar bukuritë e natyrës.
Cfarë bën për të qënë në formë? (Me siguri ti djeg kalori me ecje, sepse tërë ato gatime të shijshme diku do kishin ngjitur) Ke një rutinë bukurie?
Unë adhuroj disiplinën e jogës dhe ecjet në natyrë. Natyrisht bëj shumë kujdes me ushqimin dhe mbi të gjitha ruaj harmoninë e të ngrënit me lëvizjen.
Lexuesi ynë është kryesisht i gjinisë femërore, ndaj ndjejmë se ja vlen të të pyesim në lidhje me atë cfarë ti dëshiron të shohësh tek vajzat.
Tek vajzat unë dua të shoh vetëm buzëqeshje dhe vetëbesim.



Comments