top of page

"Lufta" e Ronela Hajatit

  • Writer: fill magazine
    fill magazine
  • Jan 3
  • 8 min read

Kopertinë, revista nr.2, maj 2023



“Uragan” do të ishte krahasimi i duhur për të. Nuk ka nevojë të mbajmë suspancë sepse artistet shqiptare që arrijnë të krijojnë performanca elektrizuese numërohen me gishtat e dorës. Padyshim që një prej tyre është Ronela Hajati.

Ishte vetëm 4 vjeç kur preku skenën për herë të parë. “Shoqet” e saj ishin piano dhe baleti. E rritur nga dy prindër artistë, Ronela e nisi herët rrugën e saj drejt skenës, duke marrë pjesë në shumë kompeticione për fëmijë e të rinj.

Një vajzë me sy të bukur si xhami e flokët kaçurrela do të spikaste në talent show-n “Star Academy”.

Pas kësaj, këngët dhe bashkëpunimet e Ronelës nuk u ndalën për të arritur deri në triumfin e saj më të madh deri më sot, të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion me këngën “Sekret”. Nuk e dimë nëse “sekreti” i Ronelës është energjia, dashuria për këngën, dëshira për të qenë gjithmonë ndryshe, por dimë të themi që ajo është një artiste që punon fort për këngët, tekstet, por sigurisht edhe për performancat magjike që i dhuron publikut.


Një vajzë e vogël, me sy të kaltër, që luan në piano dhe vallëzon. Çfarë ka në ëndrrat e saj?

Tani me shumë se ëndrra janë synime, të cilat duhen arritur me patjetër dhe këto mund të bëhen realitet vetëm nga gjysma e realizimit të ëndrrave që kam pasur kur kam qënë fëmijë.


Është fëmijëria me kujtime të bukura? Cilin kujtim do ta veçoje apo cili të vjen në mëndje i pari?

Kujtimet më të bukura të fëmijërisë janë ato të shkeljës për herë të parë nëpër dyert e televizioneve, kujtimet me familjen time, kujdesin dhe dashurine e madhe që kanë treguar gjithmonë në edukimin tim dhe realizimin e shumë dëshirave që atëherë kanë qënë shumë të vështira për shumë femijë.


Ke dashur një motër ose vëlla? Po sot mendon se do të ishte më mirë të kishe një të tillë?

Une jam vajzë e vetme dhe fatkeqësisht nuk e kam kuptuar kurrë dashurinë e një vëllai ose motre, por besoj se zoti ka përcaktuar fatet për këdo kështu që mbase ka qënë më e mira për mua, megjithatë do doja shumë të kisha pasur një vëlla.



Je rritur nga prindër që i përkasin artit, me botë të pasur artistike. Si të kanë edukuar në këtë aspekt?

Prindërit e mi më kanë rritur me një dashuri shumë të madhe për artin por jo domosdoshmërisht kanë preferuar që ta kem si profesion kryesor, pavarësisht se pasioni dhe dashuria për muziken është shumë herë më e fortë sesa llogjika dhe thjesht zgjedhja e një pune pak më normale. E bukura e artit është që ka një super larmishmëri dhe unë jam një njeri që nuk me ka pëlqyer asnjëherë monotonia.


Cila është sipas teje kënga që të dha boom-in si artiste në Shqipëri?

Kenga e “Neles” më ka hapur shumë dyer në vazhdimin e gjithë rrugetimit tim. Më kujtohet si tani në vitin 2011 impaktin që pati kënga në festivalin “kënga magjike” dhe gjithë koncertet që pasuan pastaj duke më rritur më shumë vetbesimin dhe duke më dhënë një shtysë të mendoj që gjithë kjo gjë nuk është afatshkurtër, por absolutisht mund të përmënd edhe këngën “Malagata” që sot e kësaj dite mbetet një ndër të preferuat e publikut dhe një nga videot që e kam realizuar më përzëmersisht. Ishte një nga videot që ndryshoi mënyrën e të bërit klipe në tregun muzikor në Shqipëri.


Ronela je e paparashikueshme dhe surprizuese në daljet e tua skenike. Kjo lidhet me natyrën tënde apo është një çelës suksesi për të dalluar nga të tjerët?

Të dalësh në skenë në ditët e sotme është edhe privilegj, 3 minuta në skenë do të thotë që ti të bësh më mirë atë që ndoshta nuk e bën dot në jetën reale. Çelësin e suksesit nuk e vendos unë, ate e përcakton publiku që të ndjek.



Cila ka qënë performanca skenike që e veçon ndër më të habitshmet dhe më ekstravagantet për ty?

Në vitin 2013 në “Këngën Magjike” me këngën “Mos ma Lsho” për kohën ishte një thyerje tabush dhe mund të themi që ka qënë një nga këngët që ka shkaktuar tepër polemika por që ka pasur dhe më shumë sukses në atë festival. Unë thjesht shfrytëzova shumë mirë rastin që me erdhi.


Ka ndonjë look, show, performancë apo paraqitje që sot nuk e sheh dot dhe do të doje ta ndryshoje?

Po, do doja të ndryshoja look-un dhe performancën e Eurovizionit. Mund të bëja shumë më mirë në krahasim me gjërat që kam unë në mëndje. Gjithsesi e mira s'ka fund dhe unë si virgjëresha që jam në horoskop, përpiqem gjithmonë të kërkoj perfeksionin tek vetja.


Renditesh ndër artistet e rralla shqiptare që ka një energji të jashtëzakonshme dhe që ka krijuar një stil të veçantë. A është e domosdoshme për një këngëtar/e të krijojë një figurë që “bërtet” vizualisht? Ç’mendim ke për fuqinë performuese të kolegëve?

E mira e ditëve të sotme është që të mos jemi të gjithë njësoj dhe publiku ka nevojë për dikë që bërtet vizualisht dhe pse në fakt në fillimet e mia unë këtë e kam bërë pa vetëdije, thjesht kështu jam. Përsa i përkët kolegëve kam respekt për të gjithë ata që kanë arritur aty ku janë, sepse të jesh prezent dhe i suksesshëm në tregun shqiptar është tepër e lodhshme dhe e vështirë kështu përderisa ata janë aty ku janë do të thotë që ka një arsye.


Shpirti i garës ka qënë i zjarrtë që në fillimet e tua. Gjatë rrugëtimit dhe pjesëmarrjeve në gara muzikore, si ka qënë niveli i emocioneve, kënaqësisë, po edhe ndonjë mërzitjeje?

Sa më shumë që kalon kohë, aq më shumë shtohen emocionet dhe përgjegjësitë, këtë nuk e kisha menduar. Më përpara nuk kam pasur asnjë pikë emocioni thjesht mezi prisja të dilja në skenë, ndërsa tani ‘me bie zemra në tokë’ përpara së të performoj dhe normalisht intensiteti është edhe më i lartë kur performon në skena ndërkombëtare.


Si do ta klasifikoje muzikën që ti krijon?

Si fillim unë muzikën e bëj me shumë dashuri dhe punoj vetë, gjë që jo shumë artistë e bëjnë dhe këtë mund ta them me krenari për veten. Unë mundohem të bëj më të mirën dhe më të vecantën dhe uroj që kjo të përcillet në mënyrën më të mirë tek publiku.


Pas këngëve të tua qëndron shumicën e rasteve vetë ti, duke mos luajtur vetëm rolin e këngëtares. Si është procesi krijues, muzika dhe teksti?

Është shumë më e vështirë, sesa thjesht të shkosh dhe të blesh një këngë, sepse orët e punës dhe lodhja është shumë më e madhe sesa të futesh në studio dhe thjesht të këndosh. Çdo pikë, presje dhe notë muzikore është e vendosur nga unë më përpara, ndaj edhe unë jam kritikja më e madhe e vetes time sepse gjithmonë mendoj që mund të bëj më mirë.



Muzika shqiptare e viteve të fundit ka patur kritika gjjthashtu. Shpesh, i referon në përgjithësi si këngë pa tekst, këngë me fjalë banale apo këngë pa një fabul. Ke një përgjigje për këto komente, pasi dhe në rastin e muzikës që ti krijon ka një “thyerje” të rregullave?

Ka shumë këngë shqiptare që kanë tekste dhe fabula shumë të bukura që janë krijuar nga unë duke qënë jo vetëm këngë të miat sepse unë kam shkruajtur edhe për shumë artistë të tjerë që para shumë viteve. Absolutisht që komercializmi ka ndikimin e vetë dhe absolutisht që duhet të përshtatesh me të gjitha nëse do ti kapësh të gjitha grupmoshat dhe më beso që këngët më shumë pak tekst janë shumë më të vështira për t’ju gjetur fjalët kyçe që të godasin sesa me poezi ku ke shumë hapsirë për të shprehur ndjenjat e tua.


Na trego cilat këngë kanë ardhur si frymëzim nga gjendja jote reale emocionale

Unë skam shumë këngë dedikime por jam e ndikuar nga jeta e përditshme që jetoj. “Neles”, Mos Ik”, dhe “Amini” janë këngë që gjendem unë personalisht.


Në përditshmërinë tënde, si e kalon kohën? Aktivitetet që ti bën? Njerëzit më besnikë e më të dashur?

Aktiviteti kryesor i dites time është studioja, çdo gjë rrotullohet rreth muzikës edhe nëse i kushtoj kohë vetes, jam prap në kuadër të dukjes nëpër videoklipe. Njerzit më besnik e më të dashur janë rrethi im i ngushtë shoqëror dhe bashkëpuntorët që zgjedh unë për të punuar, që janë edhe kritikët e parë të muzikës time.


Beson në shoqëri të vërtetë?

Po besoj, kam shumë shoqëri të mirë dhe jam me fat që i kam afër.


Beson në dashuri?

Nuk ka artist që nuk beson në dashuri, ne jetojmë për dashurinë dhe gjetjen e saj, pavarsisht se nuk e kemi gjetur akoma.


Pjesëmarrja dhe fitorja në Festival , si dhe kalimi në Eurovizion mund të themi se ka qënë një pikë kryesore e karrierës tënde muzikore. U nise me idenë se do të ishe shumë pranë fitores?

Nuk u nisa me asnjë ide, i gjithë qëllimi ishte që publiku jashtë kufirit shqiptar të kishin mundësinë të dëgjonin muzikën time, kështu që e gjithë sfida ishte me veten time.


Ne besojmë se ti ishe vërtetë një pretendente dhe gjurma që le në Eurovizion ishte një gjurmë e thellë që do të rezistojë gjatë. Fansat e këtij evenimenti muzikor të adhurojnë. A të mjaton kjo fitore apo ndjen një lloj inati që finalja dhe fitorja të ikën nga duart?

Nuk ndjej inat për asnjeri dhe asgjë, për aq kohë sa kënga vazhdon të dëgjohet dhe u bë hit i padiskutueshëm, ky është çmimi më i madh që mund të merrja.



Eksperienca në Eurovizion nuk ka qënë ndër më të lehtat për ty, me ngjarjet dhe komentet e asaj kohe.  Mendon se ka qënë lufta më e ashpër që ke patur?

Absolutisht lufta më e ashpër, megjithatë komentet janë pjesë e pandashme e gjithë aktivitetit që ne bëjmë edhe ndonjëherë është më mirë të jesh e komentuar sesa e pa komentuar fare.


Kujtojmë se në atë kohë postove një video e lënduar nga presioni dhe komentet për pamjen tënde. Na tregon dot pak më shumë se çfarë ndodhi me ty?

Presioni ishte shumë i madh, duke qënë se komentet nuk kishin fund dhe pavarsisht se unë nuk ndikohem shumë, stresi ishte aq i madh ku i kombinuar me gjithë lodhjen dhe dëshirën për të dalë mirë, absolutisht që ndikon në gjëndjen dhe lodhjen mendore. Videoja që bëra ishte thjesht për të treguar që në fund të ditës edhe unë jam njeri si gjithë të tjerët, ndjej dhe jetoj po si ju!


Ke një mesazh për vajzat dhe djemtë e gjendur në një situatë të ngjashme sa i përket trysnisë në lidhje me paraqitjen?

Është gjëja e fundit që duhet të vrasin mëndjen, sepse ajo që ka më shumë rëndësi është të pranojnë veten e tyre dhe të ndihen mirë me të.


Pjesëmarrja në San Marino ishte një provë për t’u rikthyer në Eurovizion?

Dëshira për tu rikthyer në Eurovizion është dhe do të ngelet aty dhe është një nga gjërat që kam më së shumti dëshire, kështu që nëse kam mundesinë për ta bërë, pse mos ta bej!


Spanja duket se ka rënë në dashuri me ty. Ke planifikuar dicka speciale per fansat e tu atje?

Kam shumë plane por nuk është çdo gjë në dorën time, kështu që do ja lë kohës. Uroj më të mirën sepse është një nga vëndet me muzikën më të bukur në botë dhe me targetgrupin më të bukur të fansave që më kanë zënë ndonjëherë sytë dhe veshët.


Së fundmi ke nisur të publikosh pjesën e dytë të albumit “RRON”. Çfarë vlere ka për ty ky album dhe si po i presin këngët admiruesit e tu?

Në fakt “RRON”, nuk është thjesht një album por është një miksim ndjesish me kreativitetin, duke sjellë në jetë shumë këngë të cilat unë i dua shumë. Stile të ndryshme muzikore dhe shumë kujtime që do ti shijoj jo vetëm unë por edhe ata që i kanë dëgjuar dhe do ti dëgjojnë.


A je e kënaqur në këtë pikë të jetës?

Unë rrallë kënaqem dhe nuk kënaqem me pak, kështu që ka ende punë për të bërë, por është një vazhdim i mirë i të gjithë planeve që kam pasur.


Çfarë të gëzon më shumë sot?

Shëndeti dhe mirëqënia e gjithë njerëzve që unë zgjedh të mbaj afër, më gëzon suksesi dhe të shijuarit e jetës.


E nisëm bisedat me ëndrrat e fëmijërisë po nuk mund të mos pyesim për ëndrrat që ke sot për të ardhmen.

Dua që emrin tim, ta njohin sa më shumë dhe dua që për të të flitet sa më mire! Kam shumë dëshirë të krijoj impakt të mirë tek njerëzit, sepse në fund të fundit jam sot këtu falë tyre.



Comments


SIGN UP FOR ALL UPDATES, POSTS & NEWS

  • Grey Instagram Icon
  • Grey Facebook Icon
  • Grey Pinterest Icon
  • Grey Twitter Icon
  • Grey YouTube Icon

© 2025 FILL MAGAZINE. Created by Katerina Trungu

bottom of page