top of page

Ketrina Jarazi, përmetarja që kujdeset për Tiranën turistike

  • Writer: fill magazine
    fill magazine
  • 3 hours ago
  • 6 min read

FILL magazine, 2023


Ketrina Jarazi, Drejtore e Turizmit pranë Bashkisë Tiranë, është një prej figurave që dallon për punën e palodhur, plot ide, aktivitete për kryeqytetin, por edhe për elegancën që e karakterizon. Viteve të fundit jeta e Tiranës është zbukuruar nga një sërë organizimesh të natyrave të ndryshme, gjë që është vënë re dhe nga mediat e huaja prestigjoze, duke vlerësuar frymën moderne që ka lindur në vend. Një prej atyre që kujdeset për këtë është pikërisht Ketrina. Përmeti është vendlindja e saj, nga ku ka marrë dashurinë për natyrën, traditën, ushqimin vendas, bukurinë. Tirana, ky qytet i madhe krahëhapur, e ka mirëpritur Ketrinën si kushdo tjetër, por në këtë rast, Tirana kishte nevojë për dorën dhe mendjen e Ketrinës për të fituar edhe më shumë ngjyra.

 

ree

Nëse kthehemi pas në kohë për të parë angazhimet e mëparshme, mund të themi se keni qenë gjithmonë e gatshme për të ndërmarrë gjëra të mëdha. Jeni në kërkim të sfidave përherë?

Modestisht mund të them PO. Gjithmonë jam në kërkim të sfidave dhe detyrave që të vendosin përpara përgjegjësisë dhe dëshirës për të realizuar objektivat që janë në shërbim të komunitetit, por që njëherësh të bëjnë krenar, të bëjnë të ecësh me hapa të cilat të çojnë drejt realizimit të qëllimit të rradhës.  


Bamirësia është një akt mirësie që fisnikëron zemrën dhe shpirtin. Vazhdoni ende të jeni aktive pavarësisht impenjimeve të tjera?

E bërë shpesh kjo pyetje, dhe më vjen mirë që vjen e bërë nga ju në këtë periudhë të vitit, ku sapo kaluam një muaj ku u takuan dhe  ditët e shenjta të besimeve të ndryshme. Nga njëra anë Pashkët Katolike e Ortodokse e nga ana tjetër muaji i Shenjtë i Ramazanit.  Në thelmb të tyre qëndron pikërisht bamërësia, apo sikurse mund t’i themi ndryshe sadakaja. Ndarja e ushqimit, pasurisë… ardhja në ndihmë e asaj pjesë të shoqërisë që është në nevojë. Dhe po, bamirësia është akt fisnikërie, dhe po do të vazhdojmë të gjejmë formën për t’I ardhur në ndihmë personave në nevojë. Të bërit bamirësi nuk është vetëm meritë e imja, por e të gjithë atyre që i janë bashkuar nismave të ndryshme që kemi ndërmarrë.


Një tjetër stacion i rëndësishëm në karrierë tuaj është puna me të rinjtë si drejtore e Qendrës Rinore. Cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë nevojat e të rinjve shqiptarë që hasen më së shumti?

Të punosh me të rinjtë është gjëja më e mirë që mund të ndodhë. Kreativë, energjikë, e përqendrues në idetë që kanë. Të rinjtë mendoj që kanë nevojë për motiv, për të kuptuar që në vendin tonë janë mundësitë dhe potencialet për të qenë të suksesshëm. Ndoshta do thoja për mentor, ndaj dhe në këto vite janë hapur shumë qendra që janë pranë kreativitetit të tyre, duke qenë më afër me to, duke ia bërë më të prekshme ëndrrën.


ree

Një vajzë e re me detyrën për të promovuar Tiranën e për të nxjerrë në pah anët më të mira të qytetit. Si ka qenë deri më tani kjo përgjegjësi për ju?

Një përgjegjësi sfiduese dhe e bukur.  Ne e dimë që imazhi është shumë i rëndësishëm, ne punojmë çdo ditë që çdo kush të njohë Tiranën e vërtetë, zemrën e saj, traditat, kulturën, mjedisin e natyrën e bukur, ushqimet, ritet, e besimet.


Keni zhgënjyer ndokënd me suksesin tuaj?

Në dijeninë time, jo dhe nuk besoj se mund të zhgënjej dikë me suksesin tim.


A është Tirana qyteti juaj i preferuar?

Tirana është shtëpia ime. Zgjohem e fle me të… Për vetë profilin tim të punës më është dashur ta njoh kryeqytetin e shqiptarëve në të gjitha dimensionet e tij. Kemi promovuar të mirën, të bukurën dhe jemi fokusuar në këto vite që të zgjidhim problematika të ndryshme, duke i parashtuar çdo kujt që është i interesuar në fushën e turizmit katalizatorët e duhur për të takuar Tiranën e vërtetë, të lashtë dhe modern.

 

Çfarë dëshironi të evidentoni më së shumti nga Tirana?

Në fakt, në Tiranën tonë gjen çdo gjë që një turist dëshiron, por në këtë intervistë kam dashur të evidentoj më shumë Agroturizmin. Është kaq bukur që Tirana jonë e vogël në krahasim me shumë kryeqytete më të mëdha të botës ofron larmishmëri dhe stile të ndryshme bujtinash. Nga shtëpi të ngrohta të familjes së vogël, shumë tiranas kanë vendosur që shtëpinë e tyre të ngrohtë ta hapin për familje më të madhe, gati-gati internacionale. Bujtinat mirëpresin miq nga kudo në botë, duke iu servirur çdo turisti pak Tiranë, e për pasojë pak Shqipëri. Por jo vetëm kaq. Bizneset janë të lidhura dhe të varura me njeri tjetrin. Unë kam zgjedhur që setin fotografik ta realizoj pikërisht në një agruturizëm. “Fustanella” është jo shumë larg Tiranës dhe në agroturizëm jo vetëm që shijon ushqimin, traditën, fshatin, por fikson kujtime të bukura e bën punë të mira. Nuk jam e para që e bëj, mund të shohim shumë fotografë që e propozojnë një photoshooting në natyrë.


ree

A ka diçka që do dëshironit ta ndryshonit?

Tiranës nuk do doja t’i ndryshoja diçka, por do të thoja që ne do të punojnë në varësi të kërkesave dhe nevojave të kohës.


Dëshira për të kontribuar në promovimin e vlerave, kulturës shqiptare dhe figurave të vendit ka qenë e dukshme dhe në organizimin gjigand të eventit ODA. Do të vazhdojë tradita?

Pse jo. Po presim një moment të duhur për ta rikthyer.


Kalojmë në sferën personale, por pa e tepruar, hahaha… dëshirojmë të mësojmë më shumë rreth kujdesit për veten.

Ditët e mia në Drejtorinë e Turizmit janë të ndryshme dhe plot aktivitete që nuk i ngjajnë njeri-tjetrit. Nga takimet në ambjentet e zyrave deri tek eventet në terren, dhe sigurisht që unë do jem në përshtatje me to, por pa dalë edhe jashtë stilit dhe karakterit tim.

Përpiqem që në gjithë aktivitet në Tiranë për Tiranën dhe turizmin në vendin tonë, të mund të gjej kohë për t’ia dedikuar vetes dhe familjarëve të mi.


Cilat janë aktivitetet që të shlodhin?

Nuk do të gënjej, por ajo që më mbush më së shumti janë aktivitetet që bëj në kuadër të promovimit të turizmit. Të shkelësh në vende që gjenden në rrethina të kryeqytetit por që janë perla natyrore të japim energji positive të pafundme. Dukesh sikur ke ardhur nga një tjetër ambjent dhe je plot energji të reja për të nisur një tjetër ditë në Tiranë.

“Festa e domates”, “Festa e ullirit”, “Festa e verës”, të apasionuarit pas hipizmit apo jetës në fshat janë disa nga pikat që mund të permend, të cilat të japin pikërisht këtë energjinë e mirë për të vazhduar më tej.


Ketrina, ti dallon për pamjen e kuruar e mund të themi me plot gojë se je një nga zonjushat më simpatike që kemi parë në institucionet shtetërore. Je detajiste si natyrë? Ke dikë që kujdeset për look-un tënd apo është gjithçka shija dhe gustoja jote?

Ashtu sikurse unë besoj se agroturizmi, bujtinat janë në momentin më të mirë për të promovuar dhe përçuar tek të gjithë ne dhe tek turistët e huaj zakonet dhe traditën e vyer tonën, edhe kurimin tim unë ia kam besuar një brand-i shqiptar. Në të shumtën e rasteve  vishem me brandin shqiptar Maet, që është e themeluar nga një vajzë shumë e talentuar e cila është gjithmonë e papërtuar dhe ma kupton stilin menjëherë.


Të ka ndryshuar profesioni në tip? Po në raportet me të tjerët?

Nuk mund të them se më ka ndryshuar karakterin, por pas çdo eksperience njeriu piqet profesionalisht. Ndërsa në kontekstin e marrëdhënieve me të tjerët aspak, unë jam e njëjta Ketrinë e të rinjve, e Turizmit, e Tiranës, e Përmetit… dhe do të vazhdoj kështu.


Të njohim si drejtore e turizmit, por nuk të njohim si Ketrina, bija e dy prindërve, familjare, mike etj. Mund të na tregosh për anën tënde familjare?

Eh, nuk flas shpesh për Ketrinën jashtë punës, por patjetër që jam vajzë me shum miq. Sa për familjen, për mua është gjëja më e shenjtë. Jam shumë e lidhur me mamin dhe vëllain.


Një kujtim të bukur fëmijërie lidhur me vendlindjen?

Përmeti, Vjosa dhe im atë. E kujtoj me shumë nostalgji fëmijërinë time dhe e them me plot bindje që kam qenë një fëmijë shumë i lumtur.


E sheh veten në politikë në të ardhmen?

Të merresh me politikë ka si qëllim të kontribuosh në çështje të ndryshme për zhvillimin e vendit. Çdo kush që sot është në një fuksion në administratën publike ka marrë përgjegjësinë që t’i shërbejë vendit të tij. Nëse kontributi im do të ishte më frytdhënës përmes politikbërjes, pse jo. Por, në drejtorinë e Turizmit kemi ende shumë punë për të bërë.


ree

 

Unë jam e njëjta Ketrinë e të rinjve, e Turizmit, e Tiranës, e Përmetit… dhe do të vazhdoj kështu.


Fotografia: Brotive Studio

Veshja: Maet

Vendndodhja: Fustanella Farm

Comments


SIGN UP FOR ALL UPDATES, POSTS & NEWS

  • Grey Instagram Icon
  • Grey Facebook Icon
  • Grey Pinterest Icon
  • Grey Twitter Icon
  • Grey YouTube Icon

© 2025 FILL MAGAZINE. Created by Katerina Trungu

bottom of page