Ermal Peci, gjithmone "full battery"
- fill magazine
- Jan 3
- 5 min read
Updated: Jan 11
Revista FILL, nëntor 2023

E dashuron televizionin dhe kjo duket në mënyrën se si e bën punën tënde, plot energji dhe me shumë pasion. Ka një “ushqim” të veçantë për këtë gjëndje?
Mendoj se gjithçka është e lindur. Të njëjtën energji e alegri ndaj edhe ne jetën e përditshme. Kushdo që më njeh edhe përtej ekranit, nuk mendon një “Ermal” të qetë. Madje, jam i bindur, që do të shqetësoheshin menjëherë nëse kjo gjë do të ndodhte vertetë.
Shkencat politike kur ishe nxenes ishin një zgjedhje për plan B?
Më shumë sesa një Plan B, një dëshirë e shtuar për ta parë komunikimin publik në një tjetër dimension. Une e kisha nisur rrugëtimin në ekran që në kohën e gjimnazit dhe doja të paktën kohën e fakultetit ta kaloja larg asaj që unë tashmë po e njihja nga afër (ekranin). Ndaj erdhi Shkenca Politike, që sot e shoh një plan shumë të largët me primarin, televizionin.
Kur fillove ta doje televizionin? Ka patur një figurë televizive apo program që ta ka ndezur këtë dëshirë?
Ndjekja që i vogël i kurseve artistike besoj që ka forcuar që atëherë lidhjen me ekranin, kërcimin, aktrimin. Jam rritur me televizionin italian dhe gjithmonë kam ëndërruar të prek ato studio gjigande, por mbi të gjitha jam marrosur me adrenalinën fantastike të programeve dhe lirshmërine e prezantuesve.
Ke qënë fëmija që prezantonte ose organizonte festat e lagjes/shkollës? Si ke qënë si fëmijë?
Niste gjithçka nga dhoma ime. Letra të mëdha të bardha që pikturoheshin si studiot e lajmeve apo spektaklet e atyre viteve. Pastaj dolën kasetat dhe kasetofonat me regjistrim që më bënin të besoja se po bëja programet e mia radiofonike. Çfarë kujtimesh!

Je një figurë e rezervuar sa i përket jetës personale dhe tregon pak, thuajse aspak rreth gjerave te tua. Pas kaq vitesh, ke pesuar nje “heart attack” në kuptimin e mirë, thënë ndryshe, c’thotë dashuria?
Edhe në ato raste kur kam folur, rrëfimet janë bërë lëmsh, aq sa jam penduar që i kam ndarë me publikun. Unë e di shumë mirë që gjërat personale për një audiencë si kjo e jona, kanë kuriozitet shumë të lartë. Kam dashur gjithmonë që për mua të flasë puna ime, ndërsa rrahjet e zemrës të mbeten larg zhurmës publike. Unë dashuroj shumë dhe shpesh. Ndodh edhe disa herë, brenda së njëjtës ditë.
Mes gjithë valleve që ke hedhur në ekran gjatë programeve të tua dhe këngëve që ke kënduar, kur do të këndosh për “shaminë e beqarit” dedikuar vetes?
E bukur kjo! Jam romantik,por dasmën si ceremoni nuk e pëlqej dhe aq. Nuk jam nga ata njerëz që rri e projektoj dasmën si ceremoni apo ritualet e saj.
Ke shkruar ndonjehere letra dashurie?
Mbaroja për letrat e dashurisë. Kam pasur prirje shumë të mira në letërsi e gjithmonë “shkrija” talentin në romancat e gdhendura në letra.
Në setin tonë fotografik kemi hyrë në rol dhe zgjodhëm të vijmë në një stil ndryshe ( kemi bërë punë shumë të mirë). Pi duhan dhe alkool? Je dehur ndonjëherë? Nga qejfi apo nga dhimbja?
Dhe unë u kënaqa gjatë setit, ju falenderoj shumë. Duhan e alkool me masë, në raste festash apo ngjarje argëtuese. Shumë rrallë jam dehur, më së shumti jashtë Shqipërisë. Në ato pak raste, shumëfishohet adrenalina dhe më gjen mbi tavolina.
Meqë ra fjala, të pëlqen aktrimi?
Më pëlqen, ju tregova që i vogël kam ndjekur edhe kurse aktrimi. Thjesht nuk kam insistuar më vonë që të realizoja diçka. Ekrani mbeti dashuri e madhe.
Po marrëdhënia me kafshët? (Ata me 4 putra)
I dua shumë kafshët, sidomos qentë. Prej vitesh në shtëpinë tonë kemi Gioian, e cila siç ka edhe emrin, na ka sjellë vetëm çaste gëzimi e lumturie.
Ka diçka që ti gezon, me të cilën bën për vete personazhet VIP. Çfarë është?
Ruajtja e balancave, respekti ndaj punës së tyre dhe mbi të gjitha korrektësia. Unë nuk i kam parë kurrë personazhet si një karrem për një zhurmë online, ndaj i kam prej vitesh emrat më të mëdhenj të jetës publike vetëm një telefon larg.
Marrëdhënia jote me personazhet e njohur është e domosdoshme për punën apo është lidhje miqësore? Ke miqësi me ndokënd?
Miqtë e vërtetë sot janë të rrallë, personazhet publike kanë dashamirësinë time të përjetshme. Kushdo që ka respektuar shtëpitë e mia televizive, ka pasur dhe e ka Ermalin të kurdogjendur për çdo nevojë të tyre. Idealja është të mbash raporte të ekulibruara.
Po “armiqësi” ke krijuar padashje me ndonjë prej tyre?
Në ato pak raste, ka dy tre personazhe që s’janë bërë armik me mua, por me rrëfimet e tyre kanë ndarë gjëra që janë penduar për të cilat edhe kanë insistuar të mos transmetohen. Në të shumtën e rasteve shumë gjëra nuk janë bërë publike, vetëm në emër të respektit të punës e imazhit të tyre.
Çfare nuk të pëlqen tek VIP-at tanë?
Në përgjithësi ka një fasadë të frikshme të një jete që ata do donin ta kishin, por që realisht nuk e kanë. Fakti që shumë personazhe impenjohen fort që jeta e tyre të bertasë luksin, është aq mjeruese.
Të pëlqen titulli “VIP”?
Më pëlqen kur njerëzit më ndalojnë, kur shkëmbejmë disa copëza nga jetët tona. E dua shumë komunikimin, dhe të qenurit 'vip' ma shton më shumë mundësine të flas edhe me të panjohur. Ka plot rrëfime emocionuese edhe larg atyre me fishekzjarre e drita skenash.

Si janë ditët e tua? Mëngjeset dikur i nisje me publikun. Të merr malli?
Për programet e mëngjesit, paradites nuk kam asnjë mall. Unë nuk jam njeriu i zgjimeve të hershme, më pëlqen që gjumi të jetë deri nga ora 9 e mëngjesit. Pastaj mbaron “magjia”. Nisin takimet, mbledhjet e punës, ritmi i ditëve impenjative.
Tek ABC me pasditet që organizoje mendojmë se qëllove në shenjë dhe veç të tjerash, krijove një pasdite prezantuar nga një moderator mashkull, që nuk e kemi parë më parë. Mendon se është një nga projektet më të mira që ke patur dhe që solli një kthesë në rrugëtimin tënd?
Padyshim. Pasditet ishin parë gjithmonë territor i grave në prezantim. Në fillim u duk marrëzi, por kur na vinin të dhënat e audiencës që shumë herë dilja dhe mbi pasditet klasike në ekranet paralele, nuk kishte krenari e emocion më të madh. Mendoj qe edhe publiku donte diçka ndryshe ndaj u përqafua aq shumë.
RTSH është shtëpia jote tani dhe ke zgjedhur që fundjavat të jenë plot me miq në programin tënd “Më prit në fundjavë”. Si shkoi sezoni i parë?
Ne të gjithë jemi rritur me ekranin publik, edhe brezi im. Ishte e vetmja zgjedhje ato kohë dhe dashuria ndaj Rtsh-së ka qënë gjithmonë aty. Sezoni i parë shkoi mrekullisht mirë, pati një evolucion me të dhënat në mediat digjitale, risi edhe për vetë kanalet e Rtsh-së, sidomos në Youtube. Une jam i lumtur që në këtë sezon u realizuan shumë intervista të pjekura, emocionale dhe me rrëfime ekskluzive.
Sezoni i ri televiziv do të ketë gjëra të reja?
Sezonet kanë gjithmonë surpriza, sepse si një Luan që jam, dua gjithmonë sfida.
Kemi vënë re se Eurovizioni është një spektakël që të përfshin. Ke ndonjë plan apo synim që lidhet me këtë event muzikor?
E dua Eurovizionin! Këtë vit e preka nga afër në Liverpool, që nga provat para netëve live deri tek çdo hap i produksionit. Java atje ishte një master televiziv. Për të mos folur pastaj për takimet nga afër me dy artiste që i dua shumë, me fituesen Loreen me të cilën realizuam edhe një intervistë eksluzive si dhe me Marco Mengonin me të cilin ndava shumë momente fantastike gjatë dhe pas provave të tij.
Cili është stacioni yt i fundit i dëshirave?
Stacioni i fundit? Këtë vit pasi prezantova Netët e Klipit Shqiptar, mora shumë mesazhe për Festivalin e Këngës. Patjetër që mbetet një dëshirë e rradhës, por kemi shumë kohë përpara. Gjithçka në kohën e duhur, asnjëherë s’i kam dashur gjërat e bëra rishtazi e aty për aty.


Comments